Presidenti Ilir Meta duket se ka pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për t’u bashkuar pa dallime politike në luftën kundër koronavirusit. Vetëm pak orë pas ftesës publike të kreut të qeverisë, Ilir Meta thirri në një takim në Presidencë ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila iu përgjigj ftesës e shoqëruar nga zv. ministrja Mira Rakacolli. Presidenti Meta, në krah të tryezës kishte këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Bahri Shaqiri, të cilin e vendosi në krye të Task Forcës kundër koronavirusit.

Kreu i shtetit thotë se të gjithë duhet të bëhen bashkë për të mbrojtur shëndetin e cdo qytetari, një sinjal pranimi ky i ftesës së kryeministrit. Presidenti shprehet më tej në postimin e tij në Facebook se në takimin me ministren e Shëndetësisë nuk i shprehu vetëm solidaritetin dhe përkrahjen, por shton se i ka ngritur edhe disa shqetësime.

Meta i ka kërkuar ministres përfshirjen e kapaciteteve njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor në luftën kundër koronavirusit. Ndërkohë që Partia Demokratike nuk e ka pranuar ftesën kryeministrit për të bashkuar strukturat pa dallim kundër koronavirusit.

“Sot në mbrëmje prita me kërkesën time Ministren e Shëndetësisë, znj.Ogerta Manastirliu dhe një pjesë të ekipit të Task-Force të angazhuar për përballimin e pandemisë së coronavirusit, jo vetëm për t’u shprehur solidaritetin dhe përkrahjen time, por edhe për të ngritur disa shqetësime me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të reagimit institucional. Theksova domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, veçanërisht me qytetarët, si dhe përfshirjen e kapaciteteve njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, duke e konsideruar këtë hap si vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore. U interesova për gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarëve të prekur nga coronavirusi, dhe shpreha falenderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës që është duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.

Nënvizova rëndësinë e marrjes së plotë të masave mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe përshëndeta mbështetjen financiare shtesë të miratuar nga qeveria për ta. Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë kryesor, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim i menjëhershëm, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri dhe rigorozitet protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore, dhe për çdo shqetësim t’i drejtohen numrin 127 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë. Së bashku për të mbrojtur shëndetin e çdo qytetari” shkruan Meta.