Një rast i çuditshëm u raportua mbrëmjen e sotme në emisionin e gazetares Eni Vasili. Dy persona, nëj prej të cilëve i dyshuar për koronavirus janë intervistuar nga gazetarja e emisionit në ambientet e jashtme të Shërbimit Infektiv në Tiranë.

Dy personat, një djalë dhe një vajzë, vinin nga Skrapari pasi vajza dyshohej për koronavirus. I fejuar i saj u shpreh para kamerave se drejtoresha e Spitalit të Skraparit u kishte vënë në dispozicion ambulancën por ata nuk kishin pranuar dhe ishin nisur me makinën e tyre.

Sapo kanë mbërritur te Infektivi, dy të rinjtë kanë qëndruar për disa minuta në ambientet e jashtme që dikush nga stafi ti thërriste brenda për tju bërë analizat.

Erdha para 30 minutash. Më dërgoi drejtoresha e spitalit. E fejuara kishte temperaturë dhe dyshojnë për korona. Kemi ardhur nga Italia javën e kaluar, nga Rimini.

Qëndruam një javë këtu në Tiranë, dje ikëm në Skrapar dhe sot në mëngjes shkuam në spital për temperaturë dhe na nisën këtu. Më thanë për ambulancë po nuk doja se s’është emergjente. Erdha me makinën time. Tani po presim të na marrin analizat. Ne jemi në rregull, me të dalë nga këtu do dalim të festojmë, ka thënë i fejuari i vajzës që dyshohet se ka koronavirus.

Ndërkohë, vetë vajza e cila dyshohet për koronavirus dhe Spitali i Skraparit e dërgoi drejt Infektivit u shpreh se ka temperaturë por jo bllokim të rrugëve të frymëmarrjes.

“Kam temperaturë 38.5 gradë, 39, por tani më është ulur pak. Më ka shkuar në 38. Nuk kam probleme me frymëmarrjen”, u shpreh vajza. Ajo që e bën më absurd rastin është se i fejuari i cili shoqëronte partneren mbante maskë në fytyrë, kurse e dyshuara për koronavirus nuk kishte maskë.