Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me prindër dhe nxënës të shkollës 9 vjeçare “Shtjefën Maçi” në Dajç të Shkodrës. Sipas Bashës, kjo shkollë ka mbyllur dyert këtë vit, për shkak të largimit të shumë banorëve të kësaj zone nga Shqipëria.

Prindërit i tregojnë liderit demokrat se fëmijët janë zhvendosur larg, në Dajç të ri ose në Shkodër, për të ndjekur mësimet, pas mbylljes së shkollës. Ndërsa fëmijët i thanë Bashës se udhëtojnë çdo ditë me furgon në orën 6 30 për të shkuar në shkollë në Shkodër dhe kthehen pas orës 14 00, duke e bërë të mundimshëm rrugën për shkollë.

“Do të bëj gjithçka që njerëzit të mos ikin as nga Dajçi, as nga Shkodra dhe për këtë më duhet ndihma e të gjithëve. Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqipërisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit do ti japim fund largimit masiv të shqiptarëve” u shpreh Basha.

Ndërkohë, duke e shoqëruar bashkëbisedimin me një video në “facebook” kreu i PD shkruan: “Në Dajç me nxënës dhe prindër në shkollën 9 vjecare “Shtjefën Maçi” e cila ka mbyllur dyert këtë vit për shkak të largimit të shumë banorëve të kësaj zone nga Shqipëria. Trishtimi dhe vështirësitë e këtyre fëmijëve që udhëtojnë me orë të tëra përditë për të shkuar në shkollë, duhet të marrin fund. Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqipërisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit, do ti japim fund largimit masiv të shqiptarëve. PotëDëgjoj ditëmëtëmira”

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nisur së fundmi të takojë qytetarë në Shqipëri, ku bisedon për probleme të dryshme që ata hasin përditë. Kreu i PD ka premtuar se ky do jetë në tur kombëtar, ku do evidentohen të gjitha problematikat dhe do bëhen pjesë e programit të tij qeverisës kur të vijë në pushtet.