7 Marsi është një datë e rëndësishme, që u dedikohet atyre njerëzve që kontribuojnë në formimin, edukimin dhe arsimimin e çdo njeriu, që në fillimet e tij dhe deri në krijimin e profilit profesional sipas zgjedhjeve personale të secilit.

Ky profesion tejet fisnik, në vetvete duhet konsideruar si një mision i mirëfilltë. Në emisionin “Historia ime” në TV Klan ishte e ftuar një mësuese, e cila e konsideron pasion dhe mision, mësimdhënien dhe edukimin dhe e dashuron profesionin e saj.

Liljana Luani është një mësuese, e cila ndryshe nga shumë kolegë të saj e ushtron profesionin edhe në kohën e lirë, duke kontribuar për një grup fëmijësh, të cilët janë të prekur nga fenomeni i gjakmarrjes dhe të detyruar prej ngujimit nuk mund të shkojnë në shkollë si moshatarët e tjerë.

Sakrifica, kilometrat e largëta që përshkon për të shkuar tek këta fëmijë dhe koha që sakrifikon nga familja e saj, nuk llogariten aspak për të.

Prej 40 vitesh, ajo ushtron këtë profesion dhe prej 15 vitesh punon me fëmijët me problematikë gjakmarrjen dhe njëkohësisht me familjet e tyre duke ndihmuar me problemet që ata kanë, duke i çuar zërin e tyre deri tek organet kompetente, që janë përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problemi