Maxhoranca mundi të marrë maksimumin nga deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit në votimin për paketën anti KÇK, kur atë e votuan pro 89 deputetë.

Ajo që ra në sy dje në Parlament ishte mungesa e zëvendëskryeministrit Erion Braçe gjatë gjithë seancës së debatit, por dhe votimi i tetë deputetëve të tjerë. Fatmir Xhafaj, Senida Mesi, Roland Xhelili, Jurgis Çyrbja, Musa Ulqini, Lindita Nikolla, Robert Bitri dhe Bashkim Fino nuk ishin dje në votim, për arsye që të paktën publikisht nuk dihen.

Zëvendëskryeministri mungoi edhe gjatë tri ditëve të zhvillimit të Kongresit të PS javën e shkuar, edhe pse vetë ai nuk e quajti bojkot të Kongresit. Një tjetër mungesë domethënëse gjatë votimit të djeshëm në radhët e socialistëve, ishte ajo e ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-kryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj.

Xhafaj nuk mori pjesë në fund të seancës në votim, dhe jo vetëm kaq, por ai u tërhoq dhe nga diskutimi i tij për aktin normativ të paketës anti KÇK. Xhafaj ishte në tetë deputetët, përfshirë dhe ministrin Lleshaj, që do të diskutonin dje në Parlament për këtë paketë.