Ndërsa koronavirusi vijon të përhapet, duke ngjallur shqetësim në të gjitha fushat e jetës, Imzot Cesare Nosiglia, kryeipeshkëv i Torinos e ipeshkëv i Susa-s, u drejtohet priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve, diakonëve e laikëve, duke u kërkuar ta thonë çdo ditë lutjen e krijuar prej tij me këtë rast.

Ja teksti i plotë i lutjes

“O Zot i gjithëpushtetshëm e i amshuar nga i cili mbarë universi merr energji, gjallesë, jetë: po vijmë tek Ti, për të lypur mëshirë, sepse sot, më shumë se kurrë, po e kuptojmë sa të ligshtë jemi.

Ne besojmë se Ti e drejton rrjedhën e historisë së njeriut e se dashuria jote mund ta shndërrojë fatkeqësinë tonë, në fatbardhësi!

Po ti besojmë, prandaj, të sëmurët e familjet e tyre, e po të lutemi: “Pash misterin e Pashkëve të Birit tënd, shpëtoji e jepu paqe korpit e shpirtit të tyre!

Ndihmoje çdo anëtar të shoqërisë ta kryejë detyrën e vet, duke forcuar, kështu, frymën e solidaritetit. Ji krahu i djathtë i mjekëve, i punonjësve të shëndetësisë, i edukatorëve, në kryerjen e shërbimit të tyre!

Ty, që je çlodhje në mundim, mbështetje në ligështi, shpresë në mjerim po të lutemi, nëpër ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar dhe të gjithë shenjtorëve mjekë e mrekullibërës.

‘Largoje nga ne çdo të keqe! Çlirona nga epidemia, që po na e shpërfytyron jetën; bëj të rikthehemi të qetë në punët e lëna përgjysëm, e të të lavdërojmë me zemër të përtërirë!

Besojmë në Ty, o Zot, kah Ti po e lartojmë lutjen e dalë nga zemra, plot besim në Krishtin, Zotin tonë” Amen