Në 30 minutat e para të fjalës se tij Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Parlamentit shpërtheu në akuza ndaj të gjithë atyre që shqetësohen për cënimin e të drejtave të njeriut nga ligji special antiKÇK!

Edi Rama: Nga mediat, deri tek ai i ashtuquajturi Presidenti i Republikës, nga opozitat deri tek Avokati i Popullit, për ti qarë hallin të shkretëve që kanë vrarë, kanë trafikuar cfarë kanë mundur, që kanë grabitur pronat.

Nga këto reagime me zhgënjyes Edi Rama ka mbetur nga ish aleati i tij, sot në detyrën e Presidentit.

Madje Kryeministri u shpreh i shqetësuar edhe për flamurin amerikan në manifestin e 2 marsit.

Ndërsa nga ana tjetër për PD shprehu keqardhje, duke i treguar Lulzim Bashës që alternativa më e mirë për të është Edi Rama.

Edi Rama: Ai është thjesht ku rafsha mos u vrafsha, kur bie në duar të mirë siç ra tek unë i vijnë të mira që ai pastaj nuk i kupton, se i shkojnë ata dhe i thonë të mori në qafë.

Aktin normativ antiKCK, shefi i qeverisë e mbrojti jo vetëm me tone të larta por edhe me gjuhën e trupit.

Ironitë dhe batutat tij me deputetët e opozitës së re sërish i lidhi me figurën e Ilir Metës.

Edi Rama: Mos më fol për dashurinë se je këtu shëmbëlltyra më kuptimplotë e një dashurie të kaluar në xhelozi dhe një xhelozie të kaluar në urrejtje.

Dhe në fund i bëri thirrje shqiptarëve të deklarojnë pasuritë e tyre para se OFL tju mësyjë për sekuestrimin e aseteve!