Studentja që u shfaq krah Presidentit Ilir Meta gjatë manifestimit të 2 marsit është Oneda Skënderi. Dosja.al ka mësuar se vazja simpatike me flokët biondë të shkurtër është e bija e gjyqtarit të shumë përfolur në Durrës për çështjen e ish hotel Vollgës, Vladimir Skënderi.

21 vjeçarja ka marrë pjesë edhe në protestën e studentëve. E ftuar një ditë më parë në emisionin “Ftesë në 5” Oneda u shpreh se në manifestim mori pjesë si idealiste për të mbrojtur kushtetutën.

Por kush është Vladimir Skënderi dhe si i dha hotel Vollgën Emiljano Shullazit

Gjithçka nisi pasi për ish hotel Vollgën në Durrës ishin dy palë që pretendonin pronësinë mbi truallin dhe objektin. Që nga viti 2003 me vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi, e cila vendosi tia dhurojë me testament pronën e fituar njeriut që u kujdes për shëndetin e saj, shtetasit Zamir Hasa, i cili do të bëhej pronar i ligjshëm pas vdekjes së Alie Fortuzit. Por këtu fillojnë ngatërresat.

Në të njëjtën ditë me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer. Dhe prej nga ky moment nis procesi që fut në lojë Emiljano Shullazin.

Trashëgimtari Zamir Hasa, vendos të ndjekë rrugën gjyqësore duke pretenduar se prona është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive. Procesi zgjati gati 10 vjet me plot të papritura. Në kohën që Gjykata e Lartë në 10 korrik 2013 me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer. Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish “Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company” në të cilën ishte vetë ai administrator. Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company” në nëntor 2014, ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove dy personave që dyshohen se kanë bërë thjeshtë dhuruesin fiktiv të emrit: Fejzi dhe Marjeta Kodra.

Mbi bashkëshortët Kodra u hodhën dyshime për mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë. Këtë akt e bëri më të dyshimtë edhe një fakt tjetër: ata vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre. Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brothers Commercial Company” me përfaqësues Ylvi Beqja, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit. Ndërkohë në këto kontrata nuk ka asnjë arsyetim se përse është bërë ky dhurim dhe se pse është zgjedhur Emiljano Shullazi, për të trashëguar këtë godinë të Durrësit.

Në këtë moment Prokuroria nisi hetimet për tre gjyqtarët, Vladimir Skënderin, Dhurata Bilon dhe Ndue Gjurën, të cilët akuzoheshin për kalimin e hotel Vollgës në duart e ”Saudi Brothers Commercial Company” në kohën që ishte përfituar nga Alie Fortuzi, gjë që solli të gjithë strumbullarin e kalimit të pronësisë deri në duart e Shullazit. Vetë Skënderi shprehje në atë kohë se ai bashkë me dy kolegët e tij kishin korigjuar një gabim të brë nga ZRPP, duke arsyetuar nenin 42 të Kushtetutës, teksa shtonte se Shullazi përflitej pa asnjë të drejtë. Hetimet për treshen e pushuan në muajin shtator të vitit 2019. Hetimet u pushuan edhe për biznesmenin Ylvi Beqja dhe për vetë Shullazin.