Studimi i realizuar nga Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, është kryer në kuadër të diskutimeve të nisura për projektligjin për përmirësimin e zonave të biznesit.

Transformimi i pjacës së Shkodres i financuar prej tyre, është një prej shembujve të marrë model, për shkak edhe të rezultateve që ka prodhuar kthimi i saj në një rrugë për këmbësorët, e me lëvizje të kufizuar për mjetet.

“Zona BID apo e njohur ndryshe si zona këmbësore, përfshin rrugën “13 Dhjetori” “28 Nëntori” “Kolë Idromeno” dhe ndryshimet e para i shprehu në nxitjen dhe thithjen e investimeve private dhe publike. Në këtë zonë, vlera e pronës në shitje është rritur me mbi 65%, edhe më tepër është rritur vlera e qiradhënies. Vërehet, gjithashtu, një përmirësimin i cilësisë së shërbimit.

Kjo u shoqërua edhe me rritjen e numrit të të punësuarve me të paktën 150 persona me kohë të plotë dhe një rritje e mëtejshme me mbi 30% gjatë sezonit të fluksit për të punësuarit me kohë të pjesshme. Zhvillimi i zonës duket qartë dhe në pasurimin e kalendarit të aktivitete argëtuese dhe kulturore në qytet” evidentohet në relacion. Në total, në këtë hapësirë ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik mbi 110 biznese me një shumëllojshmëri veprimtarie si bare, restorante, dyqane veshjesh, hotele, agjenci turistike etj.

“Vit pas viti sipërmarrësit kanë rritur investimet në ambientet e tyre, të nxitur dhe nga rritja e xhiros së realizuar. Pedonalja e Shkodrës është kthyer në një epiqendër për njësitë tregtare më në zë të qytetit, por edhe si hapësira më interesante për aktivitete ditore argëtuese. Pjesa më interesante që duket se grish edhe kureshtjen e turistëve është fototeka “Marubi” e cila mban edhe peshën kryesore të vizitorëve.

Vlera e saj e investimit përllogaritet në 1.6 milionë USD. Mesatarja e përgjithshme e vizitorëve në zonën BID në Shkodër kufizohet në 6 000 persona në ditë. Megjithëse studimi nuk ka përfshirë elemente shtesë, hartuesit e tij thonë se vemendja që i duhet kushtuar nevojitet të jetë më e madhe nga pushteti vendor, qoftë për mirëmbajtjen, por edhe mënyrën e arreditimit të saj. Ky model mund dhe duhet të shërbejë edhe për zonat e tjera me profile të ngjashme.