Zëvendëskryeministri Erion Braçe mungoi në Kongresin treditor të Partisë Socialiste.

‘Veterani’ i kongreseve të socialistëve nuk është parë në asnjë nga seancat e kongresit, edhe pse ai u shtri në tri ditë, atë të gruas, pjesën zgjedhore dhe ditën e tretë kushtuar rinisë.

Mungesa e tij ra në sy dhe te disa delegatë të Beratit, të cilët prisnin ta takonin numrin dy të qeverisë në hollin e pallatit të Kongreseve ditën e shtunë.

Anëtarë të maxhorancës qeverisëse thanë se mungesa e Braçes në Kongres lidhet me disa pakënaqësi të tij me Kryeministrin Rama.

I pyetur nga gazeta ‘Panorama’ nëse kishte munguar apo kishte bojkotuar Kongresin, zëvendëskryeministri tha se ‘nuk bojkoton asgjë’.

‘Unë nuk bojkotoj asgjë’ u shpreh Braçe. Duket se vendimi i Braçes për të mos marrë pjesë në Kongres është lajmëruar herët, sepse ka pasur dhe modifikim të axhendës së ditës së dytë të Kongresit.

Raporti i zëvendëskryeministrit në lidhje me performancën e administratës publike sa u takon shërbimeve të qytetarëve në sportele u mbajt nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalin.