Mirsad Jonuz pas barazimit që ka marrë skuadra e tij me Kukësin, në një sfidë transfertë, sigurisht që ka besim se Vllaznia ka mundësi për më shumë. Ja si e nis ai prononcimin për “Supersport” “E kam thënë dhe duket se ndaj ekipeve që janë lartë ne luajmë më mirë dhe kemi rezultat.

E dinim që skuadra kuksiane kishte probleme me kartonë dhe lëndime, ndaj edhe taktika e skuadrës ishte ndërtuar enkas për këtë sfidë. Gjatë ndeshjes kishim edhe disa aksione të mira për të shënuar. Duhet thënë që në 20 minutat e pjesë së dytë luajtëm mirë, sepse kishte shumë presion për gol nga kundërshtari”

Tifozët

“Kur fitojmë apo marrim një pikë për të gjithë është e lehtë, mirëpo kur ne humbim, ata duhet që të jenë afër nesh. Sepse kur ne jemi keq duhet që të jemi më të bashkuar, i tillë është sporti. Edhe humbet, jashtë apo dhe në shtëpi, ashtu siç marrim pikë brenda apo dhe jashtë fushës”

Skema

“Kishim mundësi ideale që ne të fitonim. Por është edhe verdikti, se nëse hapemi shumë në fushë, ka mundësi që edhe të pësojmë gol. Madje e tentuam në 2 3 raste për gol, por edhe rrezikuam pak duke ditur lojën që bën Kukësi dhe kualitete që ka Kukësi. Por për të ardhme ndoshta do ta kem parasysh”

Ecuria

Vllaznia shpesh në shtëpi ka enë e pafat, e madje edhe ka bërë humbje që nuk priten si ajo me Vllazninë. Jonuz lidhur me këtë fakt ka pohuar “Ky është futbolli, prandaj është interesant. Kemi pasur disa ndeshje kur e kemi pësuar në fund. Ne përpiqemi që të riparojmë ato probleme, sepse gjatë kësaj periudhe kemi pasur edhe 5 6 lojtarë që duhet të ruhen nga kartonët sepse jemi në një pjesë delikate të sezonit.

Po të shohësh ecurinë, kemi humbur me nga një gol 5 ndeshje. Futbolli është aventurë, shpresoj që të na eci mbarë në të ardhmen sepse nuk e dimë se çfarë na pret” tha Mirsad Jonuz, trajneri i skuadrës së Vllaznisë pas ndeshjes në “Elbasan Arena”