Për shkak të një ftohjeje, Papa Françesku anuloi për të parën herë gjatë papatit të tij tërheqjen shpirtërore të Kreshmës. Por sëmundja e atit të shenjtë erdhi në një kohë kur Italia po përballet me një shpërthim të fortë të koronavirusit, e nuk munguan aludimet për prekjen e tij, sidomos duke pasur parasysh kontaktet që ka me besimtarët.

Megjithatë gazeta italiane “Il Messaggero” thotë se kreu I Kishës Katolike I ka bërë testet dhe ka rezultuar negativ ndaj Covid 19. Për shkak të një sëmundjeje dekada më parë, Papa 83 vjeçar ka hequr një pjesë të njërës prej mushkërive. Javën e kaluar, ai anuloi dhe pjesën dërmuese të audiencave.

Italia vazhdon të luftojë me virusin, por për momentin, nuk duket se po e fiton këtë luftë. Bilanci I vdekjeve kërceu brenda një dite duke shkuar në 52 dhe shifra e të prekurve, në 1.835. Mbrojtja civile konfirmoi atë që përsërisin ekspertët, se ditët në vijim do të jenë thelbësore për të kuptuar nëse masat e marra janë vërtet në gjendje ta frenojnë përhapjen e infeksionit.

OBSH-ja vazhdon të pretendojë se nuk është pandemi, por epidemi dhe sipas saj, mund të frenohet.

Qeveria italiane po punon për një dekret të dytë, e ndër hapat e hedhur prej saj në këtë situatë te vështirë janë uljet e taksave, ndihma për sipërmarrjet dhe një ripërtëritje e turizmit. Të shëruarit ndërkohë kanë mbërritur në 149 apo 66 më shumë brenda një dite të vetme, shifra këto inkurajuese, por jo mjaftueshëm sa për fashitur frikën