Deputeti i PS-së Ervin Bushati  ka qenë i ftuar në emisionin Ditë e Re në TV Ora, ku mes të tjerave ka folur dhe për qëndrimin e tij për telenovelat turke që kanë zaptuar ekranet shqiptare.

Bushati shprehet se ato mes të tjerave promovojnë dhe dhunën ndaj grave, ndërsa shton se ndihet nostalgjik për telenovelat braziliane, që të paktën e vlerësonin femrën dhe të bukurën.

Nuk më pëlqejnë këto telenovela sepse janë të gjitha me burra me mustaqe, me pistoleta dhe shumë të dhunshme, dhunohen gratë. Më ka marrë malli për ato telenovela braziliane që janë me të puthur e me gra të bukura. Këtu janë të gjithë ca të errët, ca daja që japin ca leksione mbi jetën që nuk e di nga i kanë mësuar se janë të gjithë pashkollë e të gjithë me pistoleta.

Do doja që mos të jepnin më telenovela me pistoleta e me burra me mustaqe. Si të mos vrasin shqiptarët gratë kur shohin kështu telenovelash?

Ky është një pushtim dhune me me telenovela që kanë vetëm pistoleta, burra të dhunshëm, pa shkollë ku gratë shihen vetëm për t’u vrarë e dhunuar. Dua ti heqin këto telenovela. I lutem televizioneve të gjejnë disa telenovela me rrobabanjo. Unë nuk dua të shoh një burrë me mustaqe. 

Burri nuk sheh burra. Mbaj mend, ka qenë Ezeli e në një klub ishin 37 burra që shihnin Ezelin me mustaqe e pistoletë dhe nuk shihnin një grua të bukur. Çfarë burra janë këta që shohin burra?” shprehet Bushati.