Italia është bërë edhe vatra më e madhe në Europë ku ka shpërthyer koronavirusi vdekjeprurës. Sipas mediave vendase në të gjithë Italinë janë regjistruar 79 viktima, ndërsa numri i të infektuarve nga koronavirusi ka shkuar mbi 2200.

Por ditën e sotme sipas autoriteteve italiane rastet e reja të virusit janë ulur krahasuar me 24 orët e fundit, ndërkohë mësohet që është rritur edhe numri i të shëruarve. Brenda një dite nga testet e koronavirusit 66 pacientë kanë rezultuar negativë, në mesin e 160 personave.

Ndërkohë që Italia ka dy javë e pushtuar nga virusi, autoritetet e shëndetit kanë deklaruar se vetëm pas një jave mund të ketë një kurbë më të qartë në grafikun e epidemisë.

E nga ana tjetër qeveria e kryeministrit italian Giuseppe Conte ka përgatitur një terapi intensive ekonomike. Sipas dekretit të ri parshikohet ulje taksash dhe rritje e kredive për një total prej 3.6 miliardë euro.

Në rang global koronavirusi vijon të marrë jetë. Deri më tani janë regjistruar 3115 viktima dhe afro 100 mijë njerëz janë infektuar në botë. Italia e quajtur ndryshe edhe si vatra e koronavirusit në Europë, ka shënuar 79 viktima dhe mbi 2 mijë të infektuar, por në 24 orët e fundit ka shënuar një ulje të rasteve të reja nga virusi. Greqia ka mbyllur 28 shkolla për të shmangur koronavirusin, në Kinë së fundmi ka vdekur edhe një mjek, ndërsa rastet po shtohen shumë edhe në SHBA, ku Trump po merr masa të forta. Shqipëria nuk e ka pasur ende rastin e parë të infektuar.