Në hapësirën e ekspozimit të maskave të “Venice Art Mask Factory”, një shumëllojshmëri maskash të stileve të ndryshme, me një shumëllojshmëri ngjyrash e dekoresh, të sjellin imazhin e Venezias.

Por jo jemi në Shkodër, aty ku pasioni, kreativiteti dhe nuhatja e biznesit të Edmond Angonit, ka bërë që të ngrihet një nga fabrikat më të rëndësishme në botë të prodhimit të maskave veneciane.

Për të përshatur magjinë maskave veneciane, Angoni ka sjellë pak Venecia në Shkodër duke përshtatur edhe godinën e projektuar nga vetë ai, në model venecian.

Pas një pune 20 e ca vjeçare në kuptimin që ia bëra dhuratë vetes, aktiviteti do vijojë, por ashtu si produkti që është i bukur i duhej dhe një ambient i bukur, e ka bërë më tërheqës tek turistët, tha Edmond Angoni.

Cilësia dhe origjinaliteti i punimeve, përveç trajtimit të çdo maske si një vepër arti më vete, kanë bërë që fama e maskave të kësaj fabrike të përhapet me po të njëjtën shpejtësi në globalizimin e tregjeve.

Me 8 dyqane në Venezia, një në Las Vegas, e përmes furnizimit të mbi 45 dyqaneve të luksit që nga Dubai e deri në Australi, Angoni ia ka dalë që ta kthejë fabrikën e tij në një perandori të vertetë.

Kjo fabrikë eksporton rreth 30 mijë maska. Shesim produktet tona deri në 40 vende të botës, kemi kërkesa që nga Australia, Amerika, Italia etj, u shpreh Edmond Angoni.

Tashmë duken të largëta vitet ’97, atëhere kur Angoni me t’u kthyer në Shqipëri nga emigracioni, e nisi si një lojë prodhimin e maskave, inspiruar nga qëndrimi i tij afër me Venecian dhe dashuria për pikturën, skulpturën e të bukurën në tërësi.

“Më duket sikur aty ka qenë çelësi i suksesit, pasi kisha jetuar në Itali, e njihja Venecian rreth 6 vite. Duket si gjë e marrë në fillim të futesh në një treg që e ka maskën e vet këtu e 400-500 vjeçare,  por koha tregoi që me ide të qarta synuam mbi cilësinë, jo sasinë, falë dhe grave shkodrane duararta.

Shkodra e ka në ADN artizanatin dhe prandaj u vendosa këtu, koha më dha të drejtë, u shpreh Edmond Angoni.

Mes maskave të Bautës, Arlekinos së famshëm, Kolombinas e plot modeleve të tjera të njohura të Komedisë së artit, Angoni e ka të vështirë të zgjedhë maskën që preferon më tepër.

Ne e pyesim për “Doktorin e Murtajës”, maskën që lindi fillimisht si një veshje për mjekët që trajtonin të sëmurët gjatë murtajës famëkeqe.

Filluam me maskat klasike veneciane , tha Edmond Angoni. Kjo maskë njihet për sqepin e zgjatur, që ishte krijuar për të ruajtur distancën e doktorit me të sëmurin.

Brenda sqepit vendoseshin barëra aromatikë. Edhe pasi u largua murtaja, kjo maskë vazhdonte e përdorej në karnavale, për t’u kujtuar pjesëmarrësve se vdekja është e pranishme edhe në festë.

Procesi i punës për secilën maskë kalon në 12 apo 13 duar.

Fillimisht modelohet argjila, punohet me baltë e pastaj mbi cartapesta.

Vendosen 3 deri në katër shtresa letre tradicionale, dhe pasi thahet ngjitja e tyre, sprucohet me të bardhë sipërfaqja e maskës për të qënë gati për dekoracion.

Dekoracioni është një proces më vete, ku ka profesionistë që merren vetëm me linjat e ndryshme apo me pikturat, ata që dekorojnë me silikon të nxehtë e të tjerë që patinojnë apo vendosin elementet plotësuese.

Janë 25 punonjës që me duart e tyre i japin jetë këtij arti.

Në fund, realizohet dhe procesi i vjetërimit, për t’i bërë maskat si të dala nga ndonjë ballo e periudhës së Kazanovës.

Në fabrikën tonë janë rreth 25 persona, kemi mbajtur bërthamën pasi dhe puna është koncentruar pak“, u shpreh ai.

Ballot me maska, një binom i pandarë në imagjinatën kolektive. Mjafton të dëgjosh disa nota nga pjesa muzikore e “Musica Ricercata” e Ligetit dhe menjëherë risjell në mendje skenat emblematike të filmit të fundit të Kubrik, “Eyes ëide shut”.

“Ne vazhdimisht kemi bashkëpunuar ngushtë me kinematorgrafinë, teatrot dhe evente të rëndësishme“, u shpreh Edmondi.

Ai kujton se si maskat e tij më të mira u vendosën në një tapet, në mënyrë që asistent-regjizori i filmit me ekipin e tij të zgjidhte maskat më të përshtatshme për protagonistët e filmit.

Edhe pse me origjinë është nga Gjirokastra, Angoni është njohur tashmë me qytetin e Shkodrës.

“Nga Shkodra, unë gjej shumë, të tjerët ndoshta e kanë të vështirë të gjejnë diçka sepse është tipologji veneciane.

Por unë në 23 vite e kam provuar vetë brenda meje që lidhja histrike që ka pasur Shkodra me Venecian influencojnë në subkoshiencë, pasi kjo tregti është bërë para 500 vitesh e Shkodrës me Venecian dhe e ringjallën në formën tonë.

Kjo ka qenë dhe një ndër pasionet e mia të hershme që t’i jepja diçka Shkodrës,  maksimumin e gjërave që prodhoja, jo vetëm për biznes por që të më ushqente edhe mua shpirtërisht.

T’i jepja Shkodrës nga ana shpirtërore dhe  ana artistike“, tha Edmond Angonit

Atij i njihet merita e rigjallërimit të traditës së karnevaleve, që çdo vit mirëpresin gjithnjë e më shumë vizitorë.

Për disa vite ai ka mbajtur dhe rolin e drejtorit të Teatrit “Migjeni”, e ndërkohë vazhdon e kontribuon në mënyra të ndryshme në jetën artistike e kulturore të qytetit.