Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, thekson se kryeministri Edi Rama rrëzohet nga pushteti me zgjedhje të lira e të ndershme. “Padiskutim që Rama rrëzohet me zgjedhje të lira e të ndershme” tha Bardhi.

Duke folur për manifestimin e 2 marsit të thirrur nga Presidenti Ilir Meta, në emisionin “Zonë e Lirë” Bardhi shtoi më tej se edhe nëse Partia Demokratike hyn në zgjedhje nesër, ajo fiton përballë Ramës.

“Sigurisht që Rama dhe çdo person që keqqeveris në vend rrëzohet me mjete demokratike dhe i vetmi mjet për të rrëzuar Ramën është bashkimi i vullnetit të qytetarëve në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjatë këtij viti kemi bërë një betejë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Pas vitit 2015 janë cenuar themelet që garantojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Blerja e votave, bashkëpunimi me grupe kriminale tregon se ka pasur një cenim të rëndë të standardeve për zgjedhje, prandaj beteja jonë ka qenë kjo. Të jeni të sigurt se edhe nesër po të hyjë PD, i fiton zgjedhjet, dhe Edi Rama është i rrëzuar. Prandaj kemi nisur një betejë, jemi bërë pjesë e një procesi që do duhet të garantojë standarde për zgjedhje, siç është tryeza për Reformën Zgjedhore” deklaroi numri dy i PD.