Ulja në tryezën e reformës zgjedhore të të gjitha palëve politike në Shqipëri për kreun e Prezencës së OSBE në Tiranë, Ambasadorin Bernd Borchardt, përbën një lajm shumë të mirë. Por palët mbeten ende larg arritjes së kompromisit më madh. Një ndër pikat që ka ndarë mazhorancën dhe opozitën jashtëparlamentare lidhet me propozimin e kësaj të fundit për krijimin e një qeverie tranzitore para zgjedhjeve. Në opinionin e Ambasadorit Borchardt, kjo mund të jetë një zgjidhje.

“Nuk është rekomandim i ardhur nga OSBE/ODIHR megjithatë një qeveri teknike përpara zgjedhjeve do të ishte, në parim, një zgjidhje e mundshme. Keni shembullin e Maqedonisë së Veriut, me kushte specifike edhe atë të Greqisë, pra është e mundur, por vendimet i merr politika shqiptare dhe ne nuk japim opinion as pro dhe as kundër”

Ndarja e krimit nga politika, pjesë e kalendarit të punës së reformës zgjedhore, sipas Ambasadorit Borchardt mund të arrihet përmes krijimit të një strukture të pavarur për të trajtuar pretendimet pwr presionet mbi administratën dhe abuzimin me burimet publike në procesin zgjedhor.