Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ishte i pranishëm në analizën vjetore të prokurorive të apelit në qytetet e veriut të vendit. Gjatë fjalës së tij, Çela u shpreh se prokuroritë nuk kanë më pak kompetenca seç kishin para se të krijohej SPAK. Ndaj, ai u kërkoi atyre të jenë më efikase, duke kritikuar edhe punën e deritanishme. Çela shprehi pakënaqësi me rezultatet në lidhje me hetimin e veprave penale.

Olsian Çela: Jemi në fazë rikonstruksioni. Duket se më SPAK relativizohen prokuroritë por në fakt ne jemi depozita e madhe që të dërgon në rrjetet kriminale. Prej jush duhet të rriten metodat speciale të hetimit. Janë momente shumë të rëndësishme pasi ju duhet të perfeksiononi metodikat. Pastrimi i parave është një fushë tjetër objektivi.

Hetimi për çështjet penale ka pasur sukses të mangët. Duhet të grumbullojmë prova te krimi financiar. Duhet të aplikojmë ligjin antimafia. Shkodra, Lezha dhe Kukësi kanë forma të ndryshme krimi. Ju keni përvojën për ta bërë përballjen në mënyrën e duhur.

Në analizën vjetore të prokurorive në qaret veriore të vendit kanë qenë të pranishëm dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.