Frika dhe alarmi nga koronavirusi kanë shtuar masat në repartet e spitalit të Shkodrës.

Ditën e sotme në këtë spital është bërë dezinfektimi i ambienteve.

Ndërkohë shefja e repartit infektiv, Rezarta Bazhdari është shprehur se deri më tani nuk ka asnjë rast të dyshuar në Shkodër.

Ajo shtoi se dezinfektimi është një masë profilaktike pasi është periudhë gripi dhe si masë ndaj koronavirusit.

Rezarta Bazhdari: Situata në spitalin rajonal të Shkodrës, është pothuajse normale, nuk ka asnjë lloj problemi, nuk kemi asnjë rast me koronavirus. Jemi në periudhën e gripit, paraqiten raste me grip dhe situata është e qetë. Dezinfektimi është një masë profilaktike dhe kjo gjë do të bëhet shpesh pasi jemi në periudhë gripi dhe ka të bërë me një ndër pikat që janë marrë kundrejt koronavirusit.

Nëse paraqitet një rast i dyshuar me koronavirus, qysh në momentin e parë stafi bën një lloj vlerësimi nëse personi ka qenë në vendet e prekura apo ka pasur kontakt me persona që kanë agjent-shkaktuesin. Nëse një person rezulton pozitiv ndaj këtyre pyetjeve, ai menjëherë izolohet për nj periudhë 14 ditore.