Pak orë pas kthimit nga spitali në Itali, ku ishte trasferuar me urgjencë pas plagëve të rënda nga tërmeti, në një rrëfim ekskluziv për Report Tv, Albert Cara jep mesazhe të forta se si humbja e gjithë familjes nga tragjedia e 26 nëntorit, u kthye në forcën e tij për të ecur para. I mbijetuari i Thumanës, ne shtëpinë e re në Tiranë, rrethuar nga përkujdesja e të afërmve, na tregon se ku e gjen motivin për t’i buzëqeshur jetës dhe dëshirën për t’iu rikthyer pasioneve të vjetra.

Tragjedinë më të madhe të jetës e ka kthyer në forcë. Albert Cara, i mbijetuari i Thumanës nga tërmeti fatkeq i 26 nëntorit, thotë se do të jetojë për familjen e tij, të cilën e humbi nën rrënojat e pallatit që tashmë i ka mbetur vetëm pluhuri. E dashuron jetën dhe thotë se do ta kalojë me buzëqeshje cdo moment, deri në frymën e fundit. I sapo kthyer nga spitali në Bari, e quan mrekulli faktin që falë Zotit, sot gëzon shëndet. Thotë se ka rilindur sërish, e spitalin italian e quan maternitetin që i dha jetën për së dyti.

Humbjes së bashkëshortes, Fatmirës, vajzës Erisës, djalit të vogël Hasanit, e të madhit, Almirit me të fejuarën e tij Stelën, nuk di t’i vë një emër…Thjesht “dhimbje”, thotë se nuk e përshkruan boshllëkun që lanë pas. Por për Albert Carën, gjithcka mbetet vullnet i Zotit, e pikërisht tek bashkimi që familja e tij kishte, ai gjen forcën për të ecur para. Për të, ata janë aty, në mendje e zemër si busull drejt së ardhmes.

Në shtëpinë e tij të re në Zall Herr, që iu dha me vendim qeverie si një nga më të prekurit nga kjo tragjedi, Alberti nuk ndihet vetëm. Muret e orenditë për të nuk janë asgjë përballë plotësimit të shpirtit që i dhurojnë njerëzit e afërt që i janë gjendur në krah prej momentit të parë të humbjes së të shtrenjtëve të tij.

Do ti mungojë shoku më i mirë në jetë sic ai shprehet për bashkëshorten e ndjerë, Fatmirën, por as nuk e mendon të kthehet në burrin që e kalon kohën duke luajtur domino. Edhe pse tashmë invalid, për të, të jetuarit, nuk ka sens pa punën. Sapo të bëhet më mirë, thotë se do të vijojë të kujdeset për bletët, pasion që i jepte jetë me Fatmirën. Ajo ishte profesoresha që dinte gjithcka për bletët, por edhe pse një krah i është prerë, siç ai e shpreh mungesën e bashkëshortes, do të vijojë të nxjerrë mjaltë nga duart e tij.

Fëmijët janë shtylla që e mbajnë në këmbë të palëkundur. Për Almirin, si më i madhi i shtëpisë, fjalët e Albertit marrin hov, kur e quan këshilltarin e tij. Të gjithë të shkolluar me arsim të lartë, edhe pse fatkeqësisht jo me punë në profesionin e tyre, fëmijët i dhanë më të ëmblën ndjesi, të një babai krenar. Ndihet disi në faj, se mos ndoshta vetë ngrohtësinë që kjo ndjenjë i ka lënë thellë në shpirt, e ka kthyer pa dashur në “marrje më sysh” për fëmijët e tij.

Nuk thyhet aspak kur e pyet për përshëndetjen e hidhur… Në heshtjen vrastare që përçon ky moment, Alberti thotë se është gati të ecë me këmbët e tij në rrugën e prishur drejt banesës së fundit ku prehen gruaja, fëmijët dhe nusja e djalit…Mundohet ta shfaqë forcën duke lëvizur me gjithë trup: “Jam gati ta përballoj”!

Në Itali u kthye në motivim jo vetëm për stafin mjekësor, por për shumë të rinj, që përshëndetjen drejt udhëtimit në Tiranë, ia dhuruan magjike: E bënë të ndjejë se sa i jashtëzakonshëm është duke kërkuar të gjithë foto me të si një moment për t’ia kujtuar historisë. I quan miq zemre që e bënë të kalojë rrethuar me përkujdesje, momentet fatkeqe që jo shumëkush i kthen në forcë. Ka bërë të flasë shqip italianët, njerëz që Alberti i shfaq të njëjtën mirënjohje të thellë, sikundër qeverisë shqiptare, për gjithë sa u kujdesën për të.

Deri në Shqipëri e sollën vetë drejtuesit e spitalit të Barit, ndërsa veshur me kostum teksa zbriste shkallët e avionit vështirë të kuptoje se Alberti ishte pacienti që sapo kishte lënë spitalin. Nuk e njohu as vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që e kishte përcjellë në gjendje të rëndë drejt Italisë.

Preferon letërsinë. Gjithmonë ka lexuar libra, e teksa e pyet nëse do të gjejë forcën të thurë në letra historinë e jetës së tij, entuziazmin e ndal paksa: “Pse jo, në disa vargje”.

Me mesazhet e forta të ringritjes pas tragjedisë, të dashurisë pa kushte për familjen, Albert Cara në këtë rrëfim ekskluziv për Report Tv, na jep të gjithëve një leksion, përmbledhur prej tij në dy fjalë: Jetojeni jetën!