Presidenti Ilir Meta ka kërkuar leje tek kryepolici Ardi Veliu për zhvillimin e manifestimit të planifikuar më 2 mars në orën 17.00 të pasditës. Në letrën e dërguar në Policinë e Shtetit, krahas arsyes së manifestimit janë dhënë detaje lidhur me organizatorët dhe personat që nuk do të lejohen të marrin pjesë.

Në shkresën e Presidencës bëhet me dije se drejtuesi i manifestimit do të jetë kreu i shtetit Ilir Meta, i cili do të ndihmohet nga këshilltarët e tij Bahri Shaqiri, Dedë Prenga dhe Shemsi Premçi. Edhe pse kanë dhënë detaje lidhur me datën e orën, numri i pjesëmarrësve është lënë ende mister duke u shkruar vetëm se do të jetë jashtë çdo parashikimi.

Gjatë organizimit mësohet se do të mbajë një fjalë Meta dhe personalitete të spikatura publike që dëshirojnë të përcjellin mesazhe, por asnjë politikan apo ushtarak aktiv. Të padëshiruar janë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilëve Meta u ka kërkuar vetëm që të marrin masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

“Qëllimi i këtij manifestimi paqësor është ndërgjegjësimi dhe zgjimi i qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur dhe rivendosur sovranitetin e tyre mbi të gjitha institucionet e Republikës, të drejta këto, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe parimeve themelore të njohura prej saj,”-shkruhet ndër të tjera në letrën e Presidencës.