Albert Cara dhe Marlin Shkodra, dy të mbijetuarit e tërmetit tragjik të 26 Nëntorit të vitit të kaluar u kthyen sot në Shqipëri pas 3 muajsh trajtim të specializuar në një prej spitaleve më të mira në Itali. “Për ne është një jetë e dytë, kemi rilindur” tha Alberti, ndërsa shumë i emocionuar u shpreh edhe Marlini. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu i priti në pistë në Rinas, aty ku edhe i përcollëm bashkë 3 muaj më parë, varur vetëm në një fije të hollë shprese, por sot u kthyen shëndoshë e mirë me këmbët e tyre, por me plagë të rënda në shpirt prej humbjes së familjarëve nga tërmeti.

Ata janë shoqëruar edhe nga ekipi i mjekëve që i ka trajtuar për afro 3 muaj në vendin fqinj. “Nuk më besohet që jeni në gjendje kaq të mirë. Shumë faleminderit miqve tanë italianë për ndihmën e pakursyer”, u shpreh ministrja Manastirliu. Alberti është i mbijetuari i vetëm i familjes Cara, pasi nga tërmeti humbi gruan, dy djemtë, vajzën, të fejuarën e djalit, nusen e xhaxhait dhe mbesën në Thumanë. Lajmin tragjik 59-vjeçari e ka mësuar në Itali, pasi doli nga gjendja e rëndë që ndodhej pasi u transportua nga Shqipëria. 30-vjeçari Marlin Shkodra nga Durrësi u dërgua në gjendje kome në Itali.