Ministria e Shëndetësisë në një reagim zyrtar, kërkon që të qetësojë qytetarët lidhur me dyshimet se në Shqipëri mund të ketë persona të infektuar me coronavirus. Ministria bën thirrje që të mos merren në konsideratë informacione jo zyrtare pasi “nuk ka asnjë rast të coronavirusit në Shqipëri deri në këto momente”.

“Ministria e Shëndetësisë fton të gjithë qytetarët që të shmangin informacionet e rreme që në këto momente po përhapen për coronavirusin me qëllim rritjen e panikut. Të gjitha informacionet që përhapen në rrugë jo zyrtare, në rrjete sociale, media, nuk duhet të merren në konsideratë pasi nuk referojnë situatën reale dhe dëmtojnë mbi të gjitha sigurinë publike duke përhapur panik të panevojshëm. Aq më pak duhen besuar mesazhe zanore dashakeqe, të sajuara dhe hedhur në qarkullim njësoj si ato të pak muajve më parë pas situatës së tërmetit”, bën me dije MSH.

Drejtuesja e departamentit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino thotë se, nuk duhet të ketë panik për momentin nuk kemi asnjë rast të dyshuar në Shqipëri. “Ky virus nuk luftohet vetëm nga strukturat qeveritare por dhe duke u kujdesur. Mos pështyjmë përtokë, të vendosim gropëzën e bërrylit kur teshtini. Mos prekim hundën, gojën. Kjo është këshilla e parë, duhet të kujdesemi për higjienën”, tha znj. Bino. Ajo hodhi poshtë pretendime se nuk janë marrë masat e nevojshme ndërsa apeloi që të gjithë ata që udhëtojnë drejt apo nga zonat e prekura të njoftojnë për çdo shqetësim.

Ndërkohë dhe Kryeministri, Edi Rama në një reagim në Facebook, shprehet se coronavirusi nuk ka prekur ende Shqipërinë, por virusi mbetet një kërcënim potencial dhe se për këtë arsye janë marrë të gjitha masat për përballimin. Nga ana tjetër, z. Rama bën thirrje që qytetarët të mos bien pre e lajmeve të rreme, ashtu siç ndodhi me rastin e paralajmërimit për tërmet.

“Të njëjtat mendje të shthurura, që ju shqetësuan keq me lajmet falco dhe me gojëligësinë e tyre gjatë ditëve e netëve të gjata pas tërmetit janë në veprim. Mos bini pre e tyre dhe jini të sigurt që shtetit shqiptar po bën prej kohësh detyrën për të qenë gati në rast shfaqjeje të coronavirusit”, shprehet z. Rama.

Reagimi bën fjalë për një regjistrim audio që po qarkullon në WhatsApp lidhur me alarmin që jep një vajzë. Sipas asaj që vajza e pa identifikuar thotë, në Shqipërisë janë 12 persona të prekur nga coronavirusi, por që autoritetet nuk po lejojnë që lajmi të bëhet publik.

“Vjehrra e motrës sime është mjeke dhe punon në spital… na mori në telefon dhe na tha se janë konfirmuar shumë raste me coronavirus në Shqipëri”, thuhet në mesazhin audio.

Ndërkohë në një mesazh të dytë të publikuar nga e njëjta vajzë, ajo u bën thirrje njerëzve që të mos e shpërndarjen dhe u kërkon që ta fshijnë audion. Kjo pasi policia e ka thirrur për ta marrë në pyetje për përhapje të lajmeve të pavërteta.

Masat

Gjithashtu është bërë shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetë deklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenje klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.

Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.

Tashmë është përcaktuar vendi i karantinës në rast se do të jetë e nevojshme, që është një strukturë spitalore, e vlerësuar edhe nga komiteti teknik, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga OBSH. Ekspertët e shëndetit publik apelojnë për mbrojtje nga COVID-19 nëpërmjet ruajtjes së higjienës vetjake.

Simptomat

Coronavirusi qarkullon në kafshë, dhe disa prej Coronaviruseve kanë aftësinë të transmetohen nga kafshët tek njeriu. Tashmë është vërtetuar që Coronavirusi transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu.

Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, marrje fryme dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.

Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19 mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale. Njerëzit më të ndjeshëm ndaj formave të rënda janë të moshuarit dhe ata me sëmundje ekzistuese, të tilla si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.