Presidenti i Republikës, Ilir Meta duke folur për faktin se tri bashki në vend janë ende pa kryetar pas largimit të Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe Agim Kajmakut në Vorë për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe dorëheqjes së Valbona Sakos në Durrës pas një deklarate të papërgjegjshme lidhur me tërmetin e 26 nëntorit, në mënyrë indirekte deklaroi se nuk do të dekretojë asnjë datë për zgjedhje të pjesshme.

Z. Meta duke iu referuar Këshillit të Evropës, i cilësoi zgjedhjet e 30 qershori si moniste, pasi këshillat bashkiakë në të gjithë vendin drejtohen nga një partie e vetme dhe me këtë kemi rrëzim të sistemit pluralist.

“Nuk kam asnjë kërkesë zyrtare nga asnjë institucion sipas ligjit dhe përderisa nuk kam, nuk mund të shprehem, se çfarë thotë një politikan i një partie apo i një tjetre. Së dyti vendi që ka një sistem llogaridhënie të rrëzuar përtokë që nuk ekziston as në Parlament as në pushtet lokal se s’është puna se ka 60 e ca …por kemi 100 për qind të këshillave të bashkive në të gjithë Shqipërinë që i takojnë një partie. Pra këtu është rrëzuar praktikisht sistemi i pluralizmit politik i demokracisë, i llogaridhënies, dhe ky është shqetësimi më i madh që kam unë si President. Nuk është e rëndësishme se janë 61 socialistë apo mund të jenë nesër demokratë”, deklaroi Presidenti.

Z. Meta foli dhe për opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me dekretimin e një date të re për zgjedhjet lokale duke rrëzuar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit. Presidenti u shpreh se, në opinion nuk përmendet tejkalim kompetence.

“Konkluzionet e Komisionit të Venecias janë shumë të qarta. Nuk e tejkalova kompetencën, 0. Që të kalosh kompetencën do të thotë që t’i kesh marrë kompetencën dikuj tjetër. Pra ti si President ke hyrë tek kompetenca e Ilvës apo e Parlamentit apo nuk e di. Kompetenca e shpalljes së zgjedhjeve është një kompetencë ekskluzive vetëm e Presidentit të Republikës së Shqipërisë qoftë për zgjedhje lokale apo Parlamentare sipas Kushtetutës.

Pra kjo nuk është një Kushtetutë që ndahet me dikë. E dyta, nuk ekziston term tejkalim apo në anglisht exceeded, nuk ekziston ky term në Kushtetutë. Në Kushtetutë ka shkelje dhe shkelje e rëndë. Presidenti mund të hetohet dhe mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rëndë dhe shkelja e rëndë do të thotë të ketë cënuar sovranitetin e vendit, integritetin e vendit, një sekret shtetëror etj etj. Thelbi i konkluzioneve të Venecias që janë në fund fare është ky: edhe nëse pretendime të tilla për tejkalim nga ana e mazhorancës, përsëri këto janë të pavlerë për këtë gjë, janë të parëndësishme sepse këto nuk hynë në sferën që mban përgjegjësi Presidenti për t’u hetuar apo për t’u shkarkuar”, deklaroi Presidenti.

Z. Meta shtoi më tej gjatë intervistës se, do të mbrojë Kushtetutën deri në ditën e fundit që do të jetë në krye të Presidencës. “Nuk është mur, Presidenca është një kala në mbrojtje të Kushtetutës ndaj maxhorancës ndaj opozitës ndaj kujtdo, ndaj vagabondëve kombëtarë që mendojnë se kushtetuta e Shqipërisë është gjëja më e lehtë që mund për përdhoset dhe që mund të dhunohet, ndaj të gjithëve absolutisht. Aty është një kala edhe deri në 24 korrik të 2022, ajo është një kala, që nuk afrohet njeri për sa i takon Kushtetutës”, tha z. Meta.