Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka përjashtuar nga seanca plenare deputetin e opozitës Ralf Gjoni pas debateve dhe akuzave. Gjoni ishte duke folur për ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ndërsa akuzoi shumicën dhe opozitën se përmes një pakti të heshtur po pengojnë zbatimin e reformës në drejtësi.

“Donald Lu fliste për peshq të mëdhenj. Me të drejtë një qytetar bën pyetjen, ore ku janë peshqit e mëdhenj, mirë të mëdhenj jo, por as sardele nuk po kapim. Ku është drejtësia sot. Ka një dakordësi mes Ramës, Berishës, Metës, Bashës dhe Kryemadhit, që vijojnë dhe qëndrojnë në krye të politikës shqiptare, që drejtësia të mos funksionojë dhe reforma të zgjatet dhe shqiptarët të lodhen.

Ku janë peshqit? Nëse reforma nuk jep rezultate brenda këtij viti, qeveria do të përballet me furinë e popullit. Kam frikë se do u skuqet faqja partnerëve nëse SPAK-u nuk do të japë rezultate brenda këtij viti. Shqiptarët duan të dinë pse këta politikanë të korruptuar i shkelin syrin njëri tjetrit për të mos pasur drejtësi. Gjykata Kushtetuese, e Lartë ende nuk janë ngritur” tha ai.