Mazhoranca do t’i kërkojë Presidentit të Republikës dekretimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në 3 bashki që kanë mbetur pa kryetar, konkretisht në Shkodër, Vorë e Durrës. Pas takimit me delegacionin faktmbledhës të Këshillit të Europës kreu i grupit të PS-së Taulant Balla mohoi zgjedhjet e parakohëshme, ndërsa kreu demokrat Lulzim Basha u shpreh se ato ishin pjesë e diskutimit.

Partia Socialiste do ti kërkojë menjëherë presidentit Ilir Meta që të dekretojë datën për zgjedhjet vendore në 3 bashkitë që janë pa kryetar, në atë të Shkodrës, Vorës dhe Durrësit.

Pas takimit me delegacionin e Këshillit të Europës, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, bëri të ditur se mungesa e kryebashkiakëve ka qenë pjesë e diskutimit, por mohoi të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore.
Taulant Balla: 30 qershori për Këshillin e Evropës është një datë kushtetuese, organet e dala prej tyre janë ligjore dhe vijnë punën e tyre për një mandat 4 vjeçar. Shqetësimi ynë ka qenë që qytetarëve të Shkodrës, Durrësit dhe Vorës tu japim mundësinë që përmes votës të zgjedhin një kryetar legjitim. Në Shkodër kryetarja është përtej mandatit 4-vjeçar. Zgjedhjet në Shqipëri janë në qershor 2021. Zgjedhjet vendore në qershor të vitit 2023. Nuk kemi diskutuar me këtë çështje.

Më herët ky delegacion takoi për më shumë se 50 minuta dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, i cili ndryshe nga Balla tha se zgjedhjet ishin pjesë e diskutimit.

Lulzim Basha: Shqipëria e cila ndodhet në një krizë të thellë politike dhe ekonomike, ku korrupsioni e krimi i lidhur me politikën po gërryen themelet e shoqërisë dhe shqiptarët po largohen çdo ditë, e ka jetike ndihmën dhe mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë. Rruga për daljen nga kriza kalon nga zbatimi i standarteve demokratike europiane, forcimi i rolit të qytetarëve që nis me garantimin e votës, duke ju dhënë mundësi atyre, që të lirë nga diktati i krimit dhe paratë e korrupsionit, të vendosin për qeverinë e tyre vendore dhe qendrore sa më shpejt.

Basha priti edhe ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, pas takimit me të cilën tha se ky është vetëm fillimi i zhvillimeve politike.

Lulzim Basha: Dita e zhvillimeve politike sot dhe atyre që do të vijnë do të jetë plot me lajme, me prioritete, me zhvillime. Për një gjë ju siguroj, se gjithçka që po bëhet po bëhet për t’i shërbyer një qëllimi që shkon përtej Partisë Denokratike dhe opozitës, qëllimi për t’u dhënë shqiptarëve një rrugë shprese dhe dalje nga kriza. Kështu që në këtë kuptim ndjehem i inkurajuar nga takimet sot dhe do të vazhdoj t’ju mbaj të informuar.

Opozita ndërkaq po vijon punën për përmbylljen e draftit të reformës zgjedhore, të cilin do t’ja paraqesin mazhorancës në Këshillin Politik.