Ditën e sotme në zonën e “Medresesë” në Tiranë pritet të shembet një ndërtesë. Ndërkohë banorët kundërshtojnë këtë vendim dhe ata janë përplasur edhe me Policinë, ku 4 prej tyre janë shoqëruar në komisariat. Banorët theksojnë se janë në proces gjyqësor për pronën dhe sipas tyre është e papranueshme që IKMT po fillon ndërhyrjen për prishjen e kësaj ndërtese. Disa prej tyre i janë afruar telave të tensionit të lartë, në shenjë revolte.

“Jemi 9 familje, për këto ndërtesa jemi në provces gjyqësor me bashkinë që të na njohin si pronarë. Bashkia ka godinën ndërsa ne kemi tokën”, u shpreh një nga banorët.

Ndërsa një tjetër hodhi akuza të forta ndaj Erion Veliajt pasi u shpreh se kreu i bashkisë do t’ju marrë padrejtësisht pronat e tyre. “Duan të na marrin pronën, duan të na lënë jashtë. Hiqi duart mos më prek se… Çfarë ka bërë Erion Veliaj me pronat tona nuk e dimë, ata janë maskarenj. Është pronë e familjes tironse me mbiemër Mema”, u shpreh një tjetër banore.

Nuk ka munguar edhe një reagim nga Bashkia Tiranë, ku njofton se banorët do të trajtohen me bonus qeraje. Sipas Bashkisë ndërtesa ka qenë dikur kopësht dhe do të kthehet sërish një vend edukimi për fëmijët.