Një tentativë grabitje është regjistruar në Shkodër në Qendrën Komunitare “Për Familjen” nr. 5 të Bashkisë Shkodër. Ngjarja mësohet se është regjistruar në orët vona të së shtunës, ndërkohë që punonjësit e qendrës kanë evidentuar dëmin mëngjesin e hënës kur kanë parë dëmtimin që i është bërë pjesës së murit ku grabitësit kanë bërë gati gjithcka për të hyrë në pjesën e prapme të qendrës komunitare.

Hajdutët kanë tentuar që të çajnë murin me mjete të forta për tu futur brenda por nuk kanë mundur. Kryetari i Rajonit Nr.5 Pal Pepa një intervistë për mediat ka sqaruar ngjarjen e ndodhur ndërkohe që i ka bërë thirrje policisë së Shtetit të zbardhë këtë ngjarje, e cila është e përsëritur, pasi ishte hera e tretë që tentohet vjedhja.

“Jemi njoftuar për një dëtim të qendrës, aty ka pasur një tentativë, përgatitje, duke prishur rrethimin e qendrës dhederën hyrëse nga mbrapa objektit, por ka mbetur tentativë. Është një rast i përsëritur, është hera e tretë që ndodhin në këtë qendër. I bëj thirrje policisë që të veprojë. I bëj thirrje edhe komunitetit që të kontribuojë me ruajtjen e asaj qendre, pasi është në shërbim të atij komuniteti. Gjithashtu këto raste bashkia, është dëmtuar disa herë edhe në objekte të tjera, ku janë dëmtuar shtyllat, kontenierët e plehrave, lulishte, etj. Por u bë thirrje qytetarëve që ta mbajmë këtë shërbim që ofrohet” tha Pal Pepa.

Tentativat e grabitjes por edhe dëmtimet ndaj pronës publike, nuk jane raste të izoluara në territorin e Bashkisë Shkodër, ndërkohe që kjo qendër është dëmtuar edhe gjatë vitit të kaluar. Bashkia Shkodër fton qytetarët të bashkëpunojnë për mbrojtjen e pronës së përbashkët pasi çdo dëm është një kosto që rëndon mbi taskapaguesit shkodranë.