Kobe Bryant dhe katër persona të tjerë kanë humbur jetën në një aksident me helikopter në Californi sot në mëngjes, por tragjedia u thellua edhe më shumë kur autoritetet konfirmuan edhe vdekjen e vajzës së tij vetëm 13 vjeçe, të cilën e kishte marrë me vete në fluturimin me helikopterin e tij privat.

Vdekjen e tij si duket e ka parashikuar dikush tetë vite më parë, me anë të një postimi që po bën tashmë xhiron në internet. Në një postim në “Tëitter”, që mban datën 13 nëntor 2012, ishte shkruar se Bryant do të vdiste pas një aksidenti me helikopter.

“Kobe do të përfundojë i vdekur në një përplasje me helikopter”, ka shkruar një njeri me emrin apo me pseudonimin Noso në “Tëitter”. Postimi është ende aktiv dhe ka filluar të komentohet, ku vetë autori ka kërkuar falje për të.

Por, Kobe Bryant legjenda e NBA për 7 vjet jeton në Itali, nga mosha 6 deri në 13 vjeç, dhe ende fliste një italishte perfekte, madje me vendin fqinj e lidhte edhe pasioni për Milanin.

I rikthyer në SHBA, Bryant zgjidhet në draft nga Charlotte Hornets në 1996, por ata nuk i besojnë dhe e shesin menjëherë Los Angeles Lakers. Do të jetë thesari i ekipit kalifornian.

Në vitin 2000 së bashku me një tjetër legjendë si Shaquille O’Neal fiton kampionatin e parë në NBA, triumf që përsëritet në dy sezonet pasuese, duke skalitur në ar emrat e tyre në historinë e këtij sporti.

Pas një periudhe më të vështirë, edhe jashtë parketit, me akuzat e ngacmimit seksual që për disa kohë i larguan pjesë të fansave dhe pothuajse të gjithë sponsorët, Kobe u rikthye me dy fitore të njëpasnjëshme në 2009 dhe 2010, duke filluar të vendosë rekorde mbi rekorde.

Përshëndetja e tij në ndeshjen e fundit në karrierë mbetet nga momentet më emocionuese të atij sporti, me Bryant që firmos 60 pikë në sfidën kundër Utah Jazz. Diçka jo e rrallë për djaloshin që kishte firmosur edhe 81 pikë në një ndeshje kundër Toronto Raptors në 2006.