Atdheu u ngjitet shkallëve gjer në qiell

E poshtë zbret deri në zemrën e tokës;

Atdheu është pranverë që fryn si fyell

Dhe një kokërr mollë në prehrin e Lokes.

Atdheu ngjitet kapilarëve, aortës sime

E zbret poshtë si drithërimë e zemrës;

Atdheu është bekimi i çdo fryme,

Vështrimi im, ëndrra jonë e shpresës.

Atdheu ngjitet në mal, zbret në fushë, lahet në det

Dhe flokët i kreh në zjarr si Prometeu;

Atdheu s’ka mort, s’ka parajsë e ferr,

Te të gjallët e të vdekurit, është ATDHEU!

ATËHERË

Kuçedra vjell zjarr si oxhaku

Për ta qetësuar nëna pjek gështenja;

Ëndrrat e mia si slita mbi dëborë

Veshur me opinga si rrëfenja.

Nuk dihet ku do të ndalet trupi im i brishtë

E kolla e mirë mund të shemb ortiqet,

Në majën e Korabit jastëkun kam vënë

Në lumin Drin kam shtruar postiqet.

Fëmijëria ime rri në prag të derës

E ngrohet si kone në diellin e marsit,

Del në udhë ku krahët hapin kulumbritë,

E rri në qoshe, ku miu fshihet prej dacit.

Ëndrrat e mia slita mbi dëborë

Veshur me opinga si rrëfenja…

C.V. NË KOHËN E DIKTATURËS

Unë, Filan Fisteku, i datëlindjes gjashtëdhjetetetë

I biri i Diellit dhe i Hënës,

Me origjinë homosapiens

E tani kooperativist,

I rrudhur nga hallet si sfurku i thanës,

I pastër politikisht,

Si të gjithë,

Alla komunist…

Ju përgjërohem për të drejtë studimi për shkollën e lartë;

Si kokrrat e misrit në kalli kam dhjeta;

Sjellje shembullore

Flakë në punë,

Si bleta.

Si sorrat

Që ulen vonë mbi man e mbi lis

Shkruaj fjalët:

Zemërgjerësia juaj.

Drejtësia e Partisë.

Zhgarravis: Drejtësia e Partisë.

Shkruaj thjeshtë: Dora e Partisë.

Pastaj:

Lavdia.

Urtësia.

Besnikëria.

Pavdekësia.

Madhështia…

Pastaj:

Siç mbyll babai kuletën bosh

Pa një grosh,

Si kërcitje gishtash nga meraku;

E mbyll tekstualisht:

Përshëndetje nga Reçi.

Nga unë, Ahmet Prençi!

Pikë!

SEKRETARI I PARTISË

Serioz,

Si një qiell me re.

Veshur me xhupin ushtarak me jakë dhelpre,

Ngjeshur në trupin e zverdhur të vjeshtës.

Ky është magjistari, them unë i magjepsur;

Për jetën e babait e mbarë ne të tjerëve…

I mençur, i aftë, pjellor

Si pëllëmba e tokës buzë lumit;

Me shall e këmishë të kuqe në all

Si myshku i lisit mbështjellë rreth kurmit.

Filozof, dijetar, mendoja për të dikur,

Në oborret tona si trungje të prera,

Me tëmthe e vetulla të ngrira e gjithë ferra;

Ky është Zeusi, mendoja unë,

Pastaj perënditë e tjera.

Pastaj më tremb si një lugat sekretari

E xhindet mblidhen kokë më kokë si të mpirë;

Bie shiu i ftohtë mbi supet e natës

Dhe borë e stuhi presim në të gdhirë.

PYLLI ME PISHA

– Në kujtim të babait –

Pylli me pisha të moçme

Si xhaketa e babait varur në gozhdën e kreshtës,

Nëna ia ka kthyer dikur jakën,

Jakën e rrjepur nga kripa e djersës.

Pishat e moçme me jakën e kthyer

Nga e gjelbërta në jeshile,

Aty xhaketa e babait

Ka mote që bën hije!

Pylli me pisha të moçme

Anuar nga era e luginës si kërrabë,

Rrudhosur si xhaketa e babait

Në acar dhe në vapë.

Rralluar pylli me pishat e moçme;

Rrudhur e rrjepur si xhaketa e babait

Pa portofol, pa xhepa e pa kopsa…

SHTATOR, 1986

Ika.

Nuk mora asgjë me vete;

Veç mallit

E xhaketën e kadift’ ngjyrë toke,

Kutinë e duhanit me serm të gjyshit,

Pantallona xhins me ngjyrën e Drinit,

Atlete të reja me bojë tërfili…

Ika.

Nuk mora asgjë me vete

Veç ca lekë që m’i dha babai

Nga kursimet e fundit;

Kursime si gjethet e blirit në prag dimri

Mbi valët e lumit.

Ika.

Me një valixhe druri me vete,

Lyer me bojë zmalti,

E mbushur me ëndrra…

HARKU I YLBERIT

Vargjet e mia nuk kanë tumor

As lebrozën e tmerrshme në fytyrë

E shumta një pleurit të lehtë në rima

Nga era e vjeshtës në brinjë.

Thonë që jam naiv në dashuri

Se dua me shpirt, dua pa cak

Thonë se në urrejtje jam prap naiv

Se s’di të urrej, ose urrej shumë pak…

Thonë që jeta e njeriut varet në fije të perit

Në fije të perit ndoshta jam unë,

S’kam kohë për urrejtje, të dashur miq

Për dashurinë jam qiell pafund…

Në harkun e ylberit

Një ngjyrë më shumë…

NDARË…

Ne u grindëm, siç grindet era me brinjën,

Ne u pajtuam, siç pajtohet përroi me lumin

Pastaj vazhduam udhën,

Si pëllumbesha me pëllumbin.

Ndarë, por çuditërisht jemi bashkë,

Bashkë, por çuditërisht të ndarë,

Siç është Udha e Qumështit në qiellin pa fund,

Si sinori nga shirat në një anë.

Të ndjej përtej vetes, përtej vështrimit,

Përtej shpresës, përtej tundimit,

Akoma më tej ndjenjës së amëshimit

Përtej, përtej, krejt përtej flijimit.

Ndaras nisemi të derdhemi në det,

Por brenga s’na ndan,

As vala s’na tret.

DHE GJUMI IKËN

Iku gjumi si një ketër

Si një zog degë më degë,

Buzë e mollëza kuq të çelur

Çelur, plasur si një shegë!

Iku gjumi si burimi

Nëpër gjethe, nëpër gurë,

U këput një yll në palmë

Palma, palmë vjen tek unë.

Iku gjumi bashkë me natën

E të ndoqa nëpër ag,

Si pulëbardhë i ngjitesh valës,

Zhytesh valësh e s’të lag.

Iku gjumi si një ketër

Trung më trung e syth më syth,

Brodhëm botën të dy bashkë

Nëpër yje plis më plis.

E u shkrimë, u vrerosëm,

Larg e pranë në shteg, pa shteg

Një rrebesh i ardh’ nga qielli

Ra ylberi e u tret…

MALL

Mall i largët, mall i djegur

Si një prush në hi mbuluar,

Në një shelg anës përroit

Jam me ty i përqafuar.

Pak i djegur, shumë i mallur,

Dhe i afërt, shumë i largët,

Lidhur shelgjesh si një nyje

Ti si hëna nëpër yje.

Ikën, vjen, erë në stinë

Nëpër lule, në burime,

Si trokitje nëpër xhama

Drithërimë në zemrën time.

Si ngadalë, si në të ngutur

Nëpër ditë e nëpër natë,

Malli i largët i plagosur

Zverdh në degë si gjeth’ i thatë.

Po si ikën këto mote

Gjith’ këtë kohë më s’u pamë!

Puthje, lot i ranë shelgut,

I ranë shelgut dhe e thanë!

PËRSËRI NË ËNDËRR

Asnjëherë s’më ke ardhur në ëndërr si këtë natë janari.

Trokite me flokët ngjitur në ballë si fije bari;

Shkreptimat – kërcitje kockash, binin e vinin nga qielli,

Më kot, nuk ndizej zjarri!

Ne ishim bashkë.

Frikë nuk kishim as nga shejtani e as nga lugati.

Isha në ëndërr.

Çizmet më mbetën në dëborë dhe ecja këmbëzbathur;

Kisha ftohtë.

Kisha frikë se kupa e qiellit do të plaste

Si lëkura e gjarprit;

Ndaj të mbështolla me trikon time të leshtë.

E ndeza një zjarr në zemër,

E prapë kisha ankth se do të ngrish në gardhin e natës

Në pragun e derës si një lule marsi.

Dhe të mbështolla me shpirtin.

Kur u zgjova

Isha zbuluar nga kujdesi për ty.

Pastaj hyri nëna si Hirushe

E na mbuloi me një velenxë të artë

Të dy…

GALAKTIKË

Ranë yjet nga qielli në ograde, mbi oxhaqe

Në gardhe, në valët e Drinit, e lule shtogu,

Renda si i marrë t’i mbledh ende të pafikur

Në pëllëmbë fëmije mbledhur si fole zogu.

Me sytë katër, me krah shqiponje. Zgjuar!

Në udhë, sokaqe, pllaja, gjer poshtë në zall. Harruar!

Si kalë i hasdisur me patkua djegur. Harbuar!

Në ballë, në gushë, në shpirt. Ndriçuar!

Bien yjet nga qielli,

Të tjerë yje ngjiten

Në brigjet e mija.

ETYD

Fustani i kaltër ku derdhej bishtaleci

S`më hiqet nga mendja,

Vitet kanë kaluar, zemra e trazuar,

Rrëmet është përbrenda.

Sa herë bie shi, pjergulla në udhë

Thur bishtaleca,

Dashurinë për ty, katakomb në lukth

Kurrë nuk e treta!

Qenka e pamundur, nuk qenka e thënë

Të mbledh pika shiu!

Pëllëmbët nuk binden që të bëhen grusht

Kallkan nga veriu!

LLAMPA E VAJGURIT

Në polisën e oxhakut llampa e vajgurit

Me shkrepsen ngjitur, tymi e flaka,

Sa herë suferina fryn e fik dritat

Si magjistare ndez llampën, më plaka.

Aladini ndrit në heshtje natën e errët

Të fryjë suferina, bora të ngrijë pragun,

Ajo llampë magjike që nëna fshin ngahera

Yll i rënë nga qielli në qoshen e oxhakut.

Ne ikëm në qytet. Mbyllëm shpi e katandi

Llampat e vajgurit s’janë për qytetet!

Por nëna e mori, e ruajti të shtrenjtë

Aty pranë dritares, aq pranë me shkrepsen.

E lan e pastron me shumë dashuri

Për të mbajtur ndezur mallin në gji

KULLA

Po shembet kulla në fshat

I ka rënë suvaja, hatullat, parvazet;

Muret mezi mbahen në erën e thatë

Siç mbahen me paterica sakatët…

E anuar kulla.

I dhëmbin ijet.

Kurrizi i dalë.

Reumatizma ja ka mpirë këmbët;

Me syze miopi anuar në një anë,

Si nallane i kërcasin dhëmbët.

Qindra vjet do të rronte kulla

Ndërtuar me gurë e gëlqere safi;

E shkretë vatra e udha pa njerëz

Vdes dhe Planeti po s’pati njeri!

KALËRON DRINI I ZI

(Poemë)

Tel sharkie Drini i Zi

Temperohet buzë Strugës,

Mbi nëntë male, me nëntë krushq

Si një zanë zbret në Kukës.

Herë si zanë, herë si gjyshe

Lidh e zgjidh shaminë si shkronjë,

Pranverë, vjeshtë grua shtatzanë

Dimër, verë si një lehonë.

Dibër e Madhe, Luzni e Muhurr

Fushë Alie, Dardh e Reç

Kalëron në fushë e male! –

“Plast si krypa Syri i Keq!”

Kalëron si një dori

Si doriu kuq e zi,

Që mbledh zalle e përrenj

Siç mbledh flaka prush dhe hi.

Çelet porta në Miresh,

Një dritare në Skavicë,

Vala jote magjiplote

Edhe terrin e bën dritë.

Vala jote si një ninull

Si një gjeth e si një fjalë,

Tungjatjeta është në udhë

Besë e nder e faqebardhë!

Zall Sopot, Murrë e Mallë,

Bicaj, Luma, Veleshicë,

Zbresin si qingjat manar,

Në gjunj ulen e pijnë sisë.

Velivar, Korab, Gjallicë

Runjë, Kurorë, Lajthizë e Dhoks

Roje rrinë nëpër bedena

Ndaj dhe nata s`të terr dot.

Jetë e dritë magjiplote

Vala jote krejt flori,

Lum si ti nuk paskam parë

Kaq bujar, i lumi ti!

Ngrihet – ulet vala jote

Kurmi yt një simfoni!

Herë si ninull përkund djepa,

Herë ciklopi me një sy!

*

Në kanata vizatimi

Pikturoj Drinin e Zi

Valë ëndërra mbledh në grushta

Kodra, male ngjyrë gri.

Ja një prehër, dorë nëne

Dhe një ëndërr e një vajzë,

Ja një fjalë mirësie

E në gjoks çelur një plagë!

Ja një re, një shkrepëtimë,

Një shi vjeshte, një rrasë varri,

E nje letër krejt e zverdhur

Zverdhur, djegur nga nizami.

Ja pëllumbi, pëllumbesha

Nduken, puthen gjithë zjarrmi!

E në brigje pikon streha,

Streha ime veç për ty!

Kur në valle dredh shaminë

Dhe qeleshen hedh mbi sy,

Dhëndërr shik dhe i qeshur

Nur e gaz ky Drini i Zi!

Dhëndërr, nuse për konak

Ngjeshur mes dy vargmalesh,

Si jaran nuk ka të dytë

Sarahoshi në mes valësh!

Vjen si ëndërr, shtojzavalle,

Erë puhizë e fllad lëndine,

Thur çorape e sargi,

Si një mall për nënën time!

Për mua jelek dhënduri,

Për motrën vello ari,

Për të mbjellat ujë si qumësht

E për gjyshin një plis varri!

E për shokë, shtegtar dhe miq

Derdhesh, shkrihesh si sheqeri

Nëpër male, nëpër fusha

Me shtatë ngjyra si ylberi.

*

Që kur linda e u rrita

U përkunda bashkë me ty,

Nëpër shtigje, nëpër zalle

Gjith’ me afsh e dashuri.

Ngrihem, eci, ulem shkruaj,

Të dy bashkë si dy sozi,

Jam i bëri, jam i tëri

Hem djalosh, hem Drin i Zi.

Kulla ime shelg përkulet

Udha ime në pasqyrë,

Mbyllet qielli si qepalla,

Si qepalla që fsheh synë.

E kur shkruaj dy gisht letër

Për një brengë e për një mall,

Nis rrëfehem për mëkatet

Dhe pse lindur musliman.

*

Djep kreshnikësh Drini i Zi

Djep e shpatë e Skënderbeut,

Me një hir të zjarrtësi dielli

Këndej, andej e matanë dheut.

Për liri e për vatan

Si vullkan e zjarr shpërtheu,

Si bajrak e flakadan

Matanë, andej e këndej dheut.

Luftëtar e mendjeartë,

Nder e besë e mirësi

As përgjunjur, i firosur

Veshur, ngjeshur Kuq e Zi.

*

Tel sharkie Drini i Zi

Temperohet buzë Strugës

Mbi nëntë male me nëntë krushq

Si një zanë zbret në Kukës.

Hedh një varkë bërë prej letre

Si rrëfenjë a poezi,

Si përrallë a gjëagjëzë

Si një mal me dashuri.