Për Harryn dhe Meghanin, nuk ka paqe as në Kanada. Tani që mund të shijonin lirinë larg detyrimeve mbretërore në vilën e tyre 14 milionë dollarëshe në Vancouver, Duka dhe Dukesha e Sussex, po përballen me telashe të reja.

Brenda vetëm disa orësh, më shumë se 80.000 kanadezë firmosën një peticion në internet, përmes të cilit i kërkojnë princit dhe bashkëshortes së tij të kujdesen vetë për shpenzimet e tyre të sigurisë.

Kostoja e mbrojtjes së Harryt dhe Meghanit llogaritet në rreth 800 mijë euro në vit. Por qytetarët e Kanadasë nuk duan që për këtë arsye, të fusin duart në kuletat e veta.

“Kanadezët janë të kënaqur ta mirëpresin Dukën dhe Dukeshën, por e kanë bërë të qartë se taksapaguesit vendas nuk duhet të jenë të detyruar ti mbështesin” Aaron Wudrick, presidenti i Federatës Kanadeze të Tatimpaguesve, shoqata që promovoi peticionin.

“Të gjithë kanadezët dëshirojnë që Duka e Dukesha e Sussex të jenë në gjendje të përmbushin ambicien e tyre për t’u bërë të pavarur financiarisht” ka shtuar ai, duke I treguar kështu çiftit të shkëputur prej familjes mbretërore britanike, se disa llogari, mund ti ketë bërë gabim.