Studentët janë rikthyer sërish në protestë, pasi kërkesat e tyre të parashtruara një vit më parë, nuk janë plotësuar. Njëzëri, ata u shprehën se qeveria nuk i është përmbajtur paktit për universitetin, e për këtë do të kërkojnë përmes një peticioni, rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë.

Mosplotësimi i kërkesave të parashtruara një vit më parë, i ka rikthyer studentët në protestë.

Ashtu edhe siç kishin paralajmëruar, studentë të fakulteteve të ndryshme në vend bojkotuan mësimin, për të marshuar drejt Universitetit Politeknik, për kërkuar për rreth 2 orë rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë.

Për të arritur këtë, nisën të mblidhnin dhe firmat e para të peticionit, që do të shpërndahet në të gjitha universitetet.

Me thirrje kundër qeverisë, ata akuzojnë këtë të fundit se i mashtroi me paktin për universitetin, ku parashtroheshin kërkesat e tyre.

Njëzëri, u shprehën se situata në universitete nuk ka ndryshuar, njësoj si dhe jeta e tyre studentore.

Ata paralajmëruan se do të vijojnë bojkotin e mësimit dhe do të rikthehen sërish në protestë, pasi të mbledhin 20 000 firmat e nevojshme për të rrëzuar ligjin e arsimit të lartë.

Një prej studenteve e cila sot ka dalë në protestë thotë se kërkesat e tyre janë ato që kanë qenë edhe një vit më parë.

Për Ora News, studentja thotë se nuk do të dorëzohet deri në zgjidhjen e problemeve.

“Asnjë pika e paktit nuk u përmbajt. Ne kemi ardhur për të drejtat tona, tarifat u shtuan, në konvikt asgjë nuk ka në rregull. Shpresojmë të na mbështetin të gjithë. Disa nga problemet janë tarifat e larta, bursat, që tani duhet të kesh dy prindër invalid që të marrësh bursë.

Nuk e dimë çfarë do bëhet me ne, do jemi në protestë derisa të marrin zgjidhje problemet tona. Kam ardhur këtu dhe nuk do të dorëzohem.

Pedagogët na kanë mbështetur, ndërsa studentët i ndalon frika tha studentja për Ora News.