Instituti i Studimeve Politike ka përgatitur një raport, ku nxjerr në pah ish-deputetët e opozitës më aktivë pasi dorëzuan mandatet.

Sipas raportit të ISP, në rrjetet sociale ka shumë reagime, por deklaratat nga selia blu vijnë më së shumti nga Jorida Tabaku, Orjola Pampuri dhe Dhurata Çupi.

Po ashtu, në raport thuhet se ka edhe emra të rinj që janë shfaqur aktivë, të tillë si Gazment Bardhi, Çlirim Gjata, Dorjan Teliti dhe Ina Zhupa.

Pjesë nga raporti i ISP:

Ekipi monitorues i ISP ka ndjekur edhe deklarimet publike në emër të partisë më të madhe të opozitës, PD, për të parë sa aktivë janë ish deputetët që dorëzuan mandatet parlamentarë në shkurt 2019.

Shumë deputetë janë aktiv në rrjete sociale, por qëndrimet e tyre janë nisma personale, ndaj ne u jemi referuar deklarimeve nga faqja zyrtare e PD dhe kanë të bëjnë me qëndrime politike e institucionale për problematika të caktuara.

Tri janë tiparet kryesore të kësaj periudhe.

E para, vetëm 14 deputetë ose më pak se një e treta kanë aktivitet politik të rregullt nga i gjithë grupi i ish deputetëve.

E dyta, ish deputetët më aktivë janë tri gra politikane, Jorida Tabaku (17% në totalit të deklarimeve nga ish deputetët e PD), ndjekur nga Orjola Pampuri dhe Dhurata Çupi (secila me nga 10% të deklarimeve).

E treta, ka një rritje të deklarimeve dhe të prezencës në qëndrimet zyrtare të politikanëve të rinj në PD që nuk kanë qenë pjesë e grupit parlamentar, ku bëjnë dallim Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi, Sekretari për Çështjet Ligjore Çlirim Gjata, shefi i kabinetit Dorjan Teliti, zëdhënësja Ina Zhupa, drejtues të departamenteve, etj.