Me një gjatësi investimi prej 6 km aksi “Ura e Mesit Kala e Drishtit” lidh së bashku 2 monumente të kulturës, simbole të qytetërimit të lashtë. Prej vitit 1768 Ura e Mesit, e cila është ura me gjatë në Shqipëri e ndërtuar me gurë mbi lumin Kir shërben për të lidhur Drishtin me Shkodrën.

Në vijim ajo lidhet me Kalanë e Drishtit.Ndërhyrja me financim të Qeverisë Shqiptare parashikon rikonstruksionin e plotë të aksit “Ura e Mesit- Kala e Drishtit”, si dhe vendosjen e elementëve mbrojtës dhe zgjerimin e dy urave përgjatë gjithë segmentit. Aktualisht po punohet në skarifikime e nivelim si dhe në ndërtimin e tombinove.

Kjo ndërhyrje është pjesë e programit “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale” dhe synon rritjen e zhvillimit ekonomik për banorët e zonës. Duke rritur mundësitë për investime në bujqësi dhe në shërbimet e turizmit.Arkitektura e veçantë e përbërë prej 13 harqesh jo simetrike shërben si atraksion turistik, prej nga vizitorët vendas e të huaj fillojnë ecjen për në Kalanë e Drishtit.

Frekuentimi dhe rritja e lëvizshëmrisë nxit zhvillimin e bizneseve lokale dhe formave të punësimit që industria e turizmit ofron. Për banorët e zonës kjo përkthehet në përmirësimin e ekonomisë familjare dhe rritjen e cilësisë së jetesës. Projekti është një nga prioritetet e bashkisë Shkodër dhe parashikohet të përfundojë në fund të këtij viti.