Pasi kryeministri Edi Rama paditi homologun e tij të Kosovës, Ramush Haradinaj për shpifje, vjen një reagim nga kryetari i PD-së Lulzim Basha. Përmes një postimi në Facebook lideri demokrat e cilësoi një turp të pakapërdijshëm, vendimin e Ramës për të kallëzuar Haradinajn.

Sipas Bashës, ky është një akt i ulët që turpëron të gjithë shqiptarët, ndërsa sipas tij Rama meriton refuzimin dhe revoltë legjitime.

Kreu i qeverisë shqiptare ka depozituar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një padi prej 30 faqesh për kryeministrin në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj, të cilin e akuzon për shpifje për shkak të deklaratave të tij për çështjen e shkëmbimit të territoreve. Rama kërkon kompensim dëmi dhe përgënjeshtrim nga Haradinaj.

REAGIMI I BASHËS

‪Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar anti-kombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës.

Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.‬