Partia Demokratike nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi ka denoncuar një tjetër kryebashkiak socialist të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Bëhet fjalë për kryebashkiaun e Matit, Agron Malaj, ku sipas denoncimit të PD-së është dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i ndalohet kandidimi përjetë për një funksion publik.

Por kush është Agron Malaj

Kryebashkiaku i Partisë Socialiste për Matin njihet për publikun si një nga anëtarët e grupit të zjarrit, të protestës së 21 janarit 2011, ku u vranë 4 protestues socialistë në mes të bulevardit përballë kryeministrisë.

Po ashtu në vitin 2017, ai u përfol si një prej kandidatëve për deputetë të PS në Dibër. Lista e publikuar nga PS asokohe, e përjashtoi këtë mundësi, ndërkohë që u rikthye nga socialistët si një kandidat potencialë për të marrë drejtimin e kësaj bashkie.

Ndërkaq i pyetur nga gazetarët mbi kandidimin e ish gardistit Agron Malaj, pjesë e grupit të zjarrit më 21 janar, për bashkinë e Matit, Rama tha në atë kohë se Agron Malaj ka qëne pjesë e gardës dhe ka qenë pjesë e atij grupi, por është e provuar katërcipërisht që nuk ka marrë pjesë në asnjë moment, në asnjë shkelje të ligjit.

Shumë faleminderit për pyetjen, se e vërteta është që Agron Malaj ka qenë pjesë e gardës së republikës, ka qenë pjesë e grupit, po është e provuar katërcipërisht që nuk ka marrë pjesë në asnjë moment, në asnjë shkelje të ligjit.

Juve që merreni me informacionin keni të gjithë të drejtën por edhe detyrën, që para se ti vendosni njerëzit në një kornizë shabllon, unë i kam bërë verifikimet e mia. Është e vërtetë që është larguar, për ti dhënë mundësi transparencës për të gjithë procesin, po bëhet shumë propagandë me këtë.

Në cilën sferë të imagjinatës mund të shkoja unë që të pranoja në lidershipin tonë lokal, një person që do të ishte fajtor qoftë edhe moralisht për 21 Janarin. Ai ka informuar imtësisht për atë që ka ndodhur tha Rama