Kryeministri Edi Rama vjen sot me një video mesazh kushtuar shqiptarëve, kur na ndajnë edhe pak orë nga nata e ndërrimit të viteve. Me një veshje zyrtare, me kravatë të kuqe, dhe ornamente festive, Rama ia kushtoi mesazhin e tij ngjarjes së rëndë të 26 nentorit, ku një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 të shkallës riter goditi vendin.

Kreu i qeverisë theksoi se ishte mrekulli që pati aq viktima, (51 persona humben jetën) pasi numri i tyre mund të ishte më i lartë. Ai tha se mrekulli ishte dora e Zotit që u ndal aty.

“Në momente posaçërisht të vështira sprovuam durim. Na lëkundën deri edhe tokën nën këmbët tona. Tërmeti i 26 nëntorit ishte kulmi tragjik i këtij viti. 51 të vdekur e thuajse 1 mijë të plagosur. Mijëra familje humbën çatitë mbi krye, dhejtra familje të tjera në Durrës dhe Tiranë që lanë banesat të pllakosura nga frika. Mund ta kishim kthyer vendin tonë vite e vite pas. Duke kaluar ditë dhe nesër poshtë gërmadhave, apo ne korridoret e spitaleve, funerale, apo kampet e përkohshëm, nuk më është ndarë një sekondë mendimi se do kishte qenë edhe me keq, shumë më keq. Në një farë mënyrë ishte mrekulli që numri i të vdekurve nuk qe shumë i lartë, që numri i të plagosurve nuk qe i lartë, apo dhe numri i banesave e pallateve të shembura. Mrekullia ishte nga dora e Zotit që u ndal aty, por dhe nga mijëra e mijëra duar tona.”, -tha Rama.

Po ashtu Rama nuk i kurseu as kritikat për mediat. “Reagimi i menjëhershëm i forcave tona shpëtoi mijëra jetë e kuroi mijëra plagë të mëdha e të vogla në trupat e qindra të plagosurve. Falë edhe valës së nxehtë të qindra mijëra zemrave shqiptare dhe falë ngrohtësisë që sollën në zemrën tonë të thyer qindra forca nga vendet mike ndodhi mrekullia e rilindjes së shpresës mu në mes të asaj zymtie. Shqipëria e ndarë nga mediat u bashkua, si rrallëherë shqiptarët u bënë bashkë përballë një tragjedi që e na tregoi sa të vegjël jemi e sa të fortë mund të jemi kur bashkë i dalim të keqes përballë. Pamë me sytë tanë vlerën e paçmueshme të njerëzillëkut të duarve të shtrira dhe ia dolëm. Përtej jetëve që nuk i kthejmë dot, përtej plagosjeve, përtej shkatërrimeve ne ia dolëm t’i mbijetojmë me dinjitet goditjes aq tragjike. Ia dolëm të mos lëmë vetëm asnjë fatkeq, mos të lëmë jashtë asnjë familje. I dolëm t’i japim strehë dhe ushqim të ngrohtë mijëra familjeve. Ia dolëm ta përballojmë furtunën e emergjencës imediate shumë herë më shpejt dhe më mirë se kurrë më parë në këtë shtet. Po njësoj ne do ia dalim edhe në sfidën e rindërtimit pavarësisht se kurrë me parë nuk i ka rënë një barrë e tillë një qeverie. Ne do ia dalim sepse sot jemi më të fortë se para tërmetit. Jemi të vetëdijshëm për forcën që kemi. Unë jam i bindur në forcën e kësaj shumice qeverisëse dhe akoma më i vendosur për ta bashkëqeverisur këtë vend me ju, njerëzit e zakonshëm, edhe më mirë. Edhe më drejtë.

Librat e Shenjtë thonë se tërmeti vjen si një e keqe e madhe, për t’u sjellë njerëzve mundësinë të pendohen e të pastrohen. Por përtej debatit për besimin a mosbesimin në Zot dhe falë energjisë së madhe pozitive që u gjenerua si reagim kombëtar, ndaj goditjes shkatërrimtare të tërmetit, ky është në sytë e mi momenti i një fillimi të ri; për të prodhuar më shumë energji pozitive dhe arritur më shumë, për vendin e për fëmijët tanë”, pohoi kryeministri.