Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik Drejtues Albert Dervishaj në një deklaratë për mediat ka folur në lidhje me masat e marra nga Policia e Shtetit për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit.

Ai tha se do të shtohen kontrollet në pikat kufitare dhe në akset kryesore. Po kështu, theksoi se do punojmë për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”.

Janë evidentuar dhe organizuar shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale.

Gjithashtu, strukturat e Policisë do të organizojnë takime me subjektet e shërbimit privat të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.

Drejtoria e Vendore e Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë kanë marrë masa ekstra në drejtim të ruajtjes së pronës, sidomos në ato zona që u goditën nga tërmeti me qëllim parandalimin e vjedhjes së pronës.

Policia e Shtetit, nëpërmjet këtyre masave synon që Festa e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri të kalojnë në mënyrë sa më festive dhe të mos veniten nga episode të mundshme paligjshmërie.

Në këtë kuadër ajo kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunim e qytetarëve që të ndihmojnë Policinë, duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe uron të gjithë qytetarët: Gëzuar festat, shëndet, mbarësi dhe sa më shumë besim e bashkëpunim të ndërsjellët për të mirën e përbashkët gjatë vitit 2020. /abcnews.al